Connect with us

Bíblia ALB1

1 Samuel 26

1 Zifejtë erdhën te Sauli në Gibeah dhe i thanë: "Mos është fshehur Davidi në kodrën e Hakilahut në kufi me shkretëtirën?".

2 Atëherë Sauli u ngrit dhe zbriti në drejtim të shkretëtirës së Zifit, duke pasur me vete tre mijë njerëz të zgjedhur të Izraelit, për të kërkuar Davidin në shkretëtirën e Zifit.

3 Sauli e ngriti kampin e tij në kodrën e Hakilahut, që ndodhet në kufi me shkretëtirën pranë rrugës, ndërsa Davidi gjendej në shkretëtirë. Kur e kuptoi që Sauli vinte për ta kërkuar në shkretëtirë,

4 Davidi dërgoi disa spiunë dhe mësoi që Sauli kishte arritur me të vërtetë.

5 Atëherë Davidi u ngrit dhe shkoi në vendin ku Sauli kishte ngritur kampin. Davidi vrojtoi vendin ku ishin shtrirë Sauli dhe Abneri, bir i Nerit, komandant i ushtrisë së tij. Sauli ishte shtrirë në kampin e qerreve dhe njerëzit e tij ishin rreth tij.

6 Davidi iu drejtua pastaj Hiteut Alimelek dhe Abishait, birit të Tserujahut dhe vëlla i Joabit; dhe u tha atyre: "Kush do të vijë me mua te Sauli në kamp?". Abidshai u përgjegj: "Do të vij unë bashkë me ty".

7 Kështu Davidi dhe Abishai arritën natën te këta njerëz; dhe ja që Sauli rrinte shtrirë i përgjumur në kampin e qerreve, me shtizën e tij të ngulur në tokë, nga ana e kokës, kurse Abneri dhe njerëzit e tij po flinin rreth tij.

8 Atëherë Abishai i tha Davidit: "Sot Perëndia të ka dhënë në dorë armikun tënd; prandaj, të lutem, më lejo ta godas me shtizë dhe ta mbërthej në tokë me një të rënë të vetme; nuk do të ketë nevojë për një goditje të dytë".

9 Por Davidi i tha Abishait: "Mos e vrit; kush me të vërtetë mund të ngrejë dorën kundër të vajosurit të Zotit pa u bërë fajtor?".

10 Pastaj Davidi shtoi: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, vetëm Zoti do ta godasë; o sepse do t'i vijë dita dhe ka për të vdekur, o sepse do të shkojë të luftojë dhe do të vritet.

11 Zoti të më ruajë që të mos e shtyj dorën kundër të vajosurit të Zotit! Tani, të lutem merre shtizën që është pranë kokës së tij dhe enën e ujit dhe të ikim".

12 Kështu Davidi mori shtizën dhe kanën e ujit që ishte pranë kokës së Saulit dhe iku. Asnjeri nuk pa gjë, asnjeri nuk vuri re, asnjeri nuk u zgjua; të gjithë flinin, sepse një gjumë i thellë i dërguar nga Zoti i kishte zënë.

13 Pastaj Davidi kaloi në krahun e kundërt dhe u ndal larg, në majën e malit; kishte një lartësi të madhe midis tyre.

14 Atëherë Davidi u thirri njerëzve të Saulit dhe të Abnerit, birit të Nerit, dhe u tha: "Abner, nuk po përgjigjesh?". Abneri u përgjegj dhe tha: "Kush je ti që po i bërtet mbretit?".

15 Davidi i tha kështu Abnerit: "A nuk je një njeri trim? Dhe kush është baraz me ty në Izrael? Pse, pra, nuk e ruajte mirë mbretin, zotërinë tënde? Njëri nga populli erdhi në fakt për të vrarë mbretin, zotërinë tënde.

16 Ajo që ke bërë nuk është aspak e mirë. Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ju meritoni vdekjen, sepse nuk e keni ruajtur mirë zotërinë tuaj, të vajosurin e Zotit! Dhe tani shiko ku është shtiza e mbretit dhe kana e ujit që ishte pranë kokës së tij!".

17 Sauli njohu zërin e Davidit dhe tha: "A është zëri yt, o biri im David?". Davidi u përgjegj: "Éshtë zëri im, o mbret, o imzot!".

18 Pastaj shtoi: "Pse zotëria im e persekuton shërbëtorin e tij? Ç'kam bërë? Çfarë të keqe kam kryer?

19 Prandaj tani, të lutem, dëgjo, o mbret, o imzot, fjalët e shërbëtorit tënd. Në rast se Zoti të nxit kundër meje, ai le të pranojë një blatim! Por në rast se janë njerëz, qofshin të mallkuar përpara Zotit, sepse sot më kanë përzënë që të më pengonin të merrja pjesën në trashëgiminë e Zotit, duke më thënë: "Shko t'u shërbesh perëndive të tjera".

20 Tani, pra, gjaku im mos rëntë në tokë larg pranisë të Zotit! Sepse mbreti i Izraelit doli për të kërkuar një plesht, ashtu si gjuajnë një thëllëzë nëpër male".

21 Atëherë Sauli tha: "Kam mëkatuar; ktheu, biri im David, sepse nuk do të bëj më asnjë të keqe, sot jeta ime ishte e çmuar në sytë e tua; ja, kam vepruar si një budalla dhe kam gabuar rëndë".

22 Davidi u përgjegj: "Ja, shtiza e mbretit; le të vijë këtu një nga të rinjtë e ta marrë.

23 Zoti do t'i japë secilit simbas drejtësisë dhe besnikërisë së tij; sot në fakt Zoti të kishte dhënë në duart e mia, por unë nuk desha të shtrija dorën time kundër të vajosurit të Zotit.

24 Ashtu si sot jeta jote ka qenë e çmuar në sytë e mi, kështu ka për të qenë e çmuar jeta ime në sytë e Zotit; dhe ai të më largojë çdo fatkeqësi".

25 Atëherë Sauli i tha Davidit: "Qofsh i bekuar, biri im David. Ti do të bësh vepra të mëdha dhe ke për të dalë me siguri fitimtar". Kështu Davidi vazhdoi rrugën e tij dhe Sauli u kthye në shtëpinë e vet.

Continuar Lendo

Leave a Reply

O seu endereço de e-mail não será publicado. Campos obrigatórios são marcados com *