Connect with us

Bíblia ALB1

Miquéias 7

1 Mjerë unë! Sepse jam si ata që vjelin frutat e verës, si ata që mbledhin rrushin e vitit: nuk ka asnjë vile për të ngrënë, shpirti im dëshëron një fik të parë.

2 Njeriu i përshpirtshëm është zhdukur nga dheu, midis njerëzve nuk ka më njerëz të ndershëm; të tërë rrinë në pritë për të derdhur gjak, secili gjuan vëllanë e vet me rrjetë.

3 Të dy duart e tyre janë të shtrira për të bërë të keq me zotësi; princi pretendon, gjyqtari kërkon shpërblime, i madhi shfaq lakminë e tij; kështu bashkarisht e prishin drejtësinë.

4 Më i miri i tyre është si një ferrishte, më i ndershmi është më i keq se një gardh ferrash. Dita e dënimit tënd po vjen; tani do të jetë pështjellimi i tyre.

5 Mos e besoni shokun, mos i zini besë mikut të ngushtë; ruaji portat e gojës sate përpara asaj që prehet mbi gjirin tënd.

6 Sepse biri turpëron të atin, bija ngre krye kundër nënës, e reja kundër vjehrrës, armiqtë e secilit janë ata të shtëpisë së tij.

7 Por unë do të shikoj te Zoti, do të shpresoj te Perëndia i shpëtimit tim; Perëndia im do të më dëgjojë.

8 Mos u gëzo me mua, o armikja ime! Në rast se kam rënë, do të ngrihem përsëri; në rast se ulem në terr, Zoti do të jetë drita ime.

9 Unë do të duroj indinjatën e Zotit, sepse kam kryer mëkate kundër tij, deri sa ai do të mbrojë kauzën time, dhe do vendosë drejtësi për mua; ai do të më nxjerrë në dritë dhe unë do të sodit drejtësinë e tij.

10 Atëherë armikja ime do ta shohë dhe do të mbulohet me turp, ajo që më thoshte: "Ku është Zoti, Perëndia yt?". Sytë e mi do ta shikojnë me ëndje, ndërsa do ta shkelin si baltën e rrugëve.

11 Kur do të rindërtohen muret e tua, atë ditë kufiri yt do të zgjerohet shumë.

12 Atë ditë do të vinë te ti, nga Asiria dhe nga qytetet e tua të fortifikuara, nga qyteti i fortifikuar deri te Lumi, nga deti në det dhe nga mali në mal.

13 Por vendi do të katandiset në një shkreti për shkak të banorëve të tu, për shkak të frytit të veprimeve të tyre.

14 Kullot popullin tënd me shkopin tënd, kopenë e trashëgimisë sate, që rri i vetmuar në pyllin në mes të Karmelit. Le të kullosin në Bashan dhe në Galaad si në kohërat e lashta.

15 "Si në ditët që dole nga vendi i Egjiptit, unë do t'u tregoj atyre gjëra të mrekullueshme".

16 Kombet do të shohin dhe do t'u vijë turp për tërë fuqinë e tyre; do të vënë dorën te goja, veshët e tyre do të mbeten të shurdhër.

17 Do të lëpijnë pluhurin si gjarpëri, si rrëshqanorët e tokës, do të dalin duke u dridhur nga vendet ku janë fshehur; do të kenë frikë nga Zoti, Perëndia ynë, dhe do të kenë frikë nga ti.

18 Cili Perëndi është si ti, që fal paudhësinë dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë së tij? Ai nuk e mban përgjithnjë zemërimin e tij, sepse i pëlqen të jetë i mëshirshëm.

19 Atij do t'i vijë përsëri keq për ne, do të shkelë paudhësitë tona, Ti do të hedhësh në fund të detit tërë mëkatet tona.

20 Ti do t'ia tregosh besnikërinë tënde Jakobit dhe dhemshurinë tënde Abrahamit, siç iu betove etërve tanë qysh në kohërat e lashta.

Continuar Lendo

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply