Connect with us

Bíblia ALB1

Deuteronômio 29

1 Këto janë fjalët e besëlidhjes që Zoti i urdhëroi Moisiut të përfundonte me bijtë e Izraelit në vendin e Moabit, përveç besëlidhjes që kishte bërë me ta në malin Horeb.

2 Moisiu thirri tërë Izraelin dhe u tha atyre: "Ju keni parë të gjitha ato që i ka bërë Zoti në Egjipt para syve tuaj Faraonit, të gjithë shërbëtorëve të tij dhe tërë vendit;

3 sytë tuaj kanë parë mjerimet e mëdha, shenjat dhe mrekullitë e mëdha;

4 por deri sot Zoti nuk ju ka dhënë zemër për të kuptuar, sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.

5 Unë ju kam udhëhequr dyzet vjet në shkretëtirë; rrobat tuaja nuk ju janë prishur në trup, sandalet tuaja nuk iu janë konsumuar në këmbët tuaja.

6 Nuk keni ngrënë bukë dhe nuk keni pirë verë as pije dehëse, me qëllim që të njihnit që unë jam Zoti, Perëndia juaj.

7 Kur arritët në këtë vend, Sihoni, mbret i Heshbonit, dhe Ogu, mbret i Bashanit, dolën kundër nesh për të luftuar, por ne i mundëm,

8 pushtuam vendin e tyre dhe ia dhamë në trashëgimi Rubenitëve, Gaditëve dhe gjysmës së fisit të Manasit.

9 Respektoni, pra, fjalët e kësaj besëlidhje dhe zbatojeni në praktikë, me qëllim që të keni mbarësi në çdo gjë që bëni.

10 Sot të gjithë ju ndodheni para Zotit, Perëndisë tuaj: krerët tuaj, fiset tuaja, pleqtë tuaj, zyrtarët tuaj, tërë njerëzit e Izraelit,

11 fëmijët tuaj, gratë tuaja dhe i huaji që ndodhet në mes të kampit tënd, duke filluar nga ai që çan drutë deri tek ai që nxjerr ujin tënd,

12 për të hyrë në besëlidhjen e Zotit, Perëndisë tënd, dhe në betimin e tij që Zoti, Perëndia yt, bën sot me ty,

13 për të të vendosur sot si popull të tij dhe për të qënë Perëndia yt, ashtu si të tha dhe si iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut dhe Jakobit.

14 Unë e bëj këtë besëlidhje dhe këtë betim jo vetëm me ju,

15 por edhe me ata që janë sot para Zotit, Perëndisë tonë, dhe me ata që sot nuk janë këtu me ne.

16 (Sepse ju e dini që kemi banuar në vendin e Egjiptit dhe kemi kaluar në mes të kombeve, që u keni rënë mes për mes;

17 dhe keni parë gjërat e tyre të neveritshme, idhujt e tyre prej druri, guri, argjendi dhe ari, që ndodhen në mes tyre).

18 Të mos ketë midis jush burrë a grua, familje a fis zemra e të cilit të largohet nga Zoti, Perëndia ynë, dhe të shkojë t'u shërbejë perëndive të këtyre kombeve, nuk duhet të ketë midis jush asnjë rrënjë që prodhon helmin dhe pelinin;

19 dhe të mos ndodhë që dikush, duke dëgjuar fjalët e këtij betimi, të vetëbekohet në zemër të tij, duke thënë: "Do të kem paqe, edhe sikur të eci me kokëfortësinë e zemrës sime", ashtu si i dehuri të mund të përfshihej të përkorin.

20 Por Zoti nuk mund ta falë kurrë; por në këtë rast zemërimi i Zotit dhe zilia e tij do të ndizen kundër tij dhe të gjitha mallkimet që janë shkruar në këtë libër do të bien mbi të, dhe Zoti do ta fshijë emrin e tij poshtë qiellit;

21 Zoti do ta veçojë për ta shkatërruar nga të gjitha fiset e Izraelit, simbas të gjitha mallkimeve të besëlidhjes së shkruar në këtë libër të ligjit.

22 Kështu brezi i ardhshëm i bijve tuaj që do të dalë pas jush dhe i huaji që do të vijë nga një vend i largët, duke parë mjerimet dhe lëngatat që Zoti u ka dhënë, do të thonë:

23 "Tërë toka është squfur, kripë, zjarrmi; nuk është mbjellë, nuk prodhon më asgjë dhe në të nuk rritet asnjë bar, ashtu si pas shkatërrimit të Sodomës, të Gomorrës, të Admahut dhe të Tseboimit, që Zoti shkatërroi gjatë zemërimit dhe tërbimit të tij".

24 Po, të gjitha kombet do të thonë: "Pse Zoti e trajtoi kështu këtë vend? Pse ky zemërim kaq i madh?".

25 Atëherë do të përgjigjen: "Sepse kanë braktisur besëlidhjen e Zotit, Perëndisë së etërve të tyre, që ai lidhi me ta kur i nxori nga vendi i Egjiptit;

26 sepse ata shkuan t'u shërbejnë perëndive të tjera dhe ranë përmbys përpara tyre, perëndi që ata nuk i njihnin dhe që Zoti nuk u kishte dhënë atyre.

27 Për këtë arësye u ndez zemërimi i Zotit kundër këtij vendi, me qëllim që të gjitha mallkimet e shkruara në këtë libër të binin mbi të;

28 dhe Zoti i shkëputi nga vendi i tyre me zemërim, me tërbim dhe me indinjatë të madhe dhe i hodhi në një vend tjetër, siç po ndodh sot".

29 Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe për bijtë tanë për gjithnjë, me qëllim që të zbatojmë në praktikë tërë fjalët e këtij ligji".

Continuar Lendo

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply